Shqiptarin e lidhin me kabllo dhe e torturojnë për 16 orë, shkak borxhi 60 mijë € i kushëririt

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 25.03.2024, 10:35

Një 33-vjeçar shqiptar është marrë peng dhe dhunuar për 16 orë për shkak të kushëririt të tij.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 18 gusht të vitit të kaluar në Bolonja në zonën Borgo Panigale. Shqiptari ka qenë në shtëpinë e tij, kur rreth orës 1 të natës, 4 burra kanë shkuar aty dhe e kanë marrë me forcë në makinën e tyre.

Autorët, 4 shqiptarë, i vodhën makinën dhe fillimisht e çuan në një garazh në zonën e Modenës, më pas në një fermë të braktisur në Savigno në fshatin Valsamoggia. Këtu shqiptari është torturuar e dhunuar për 16 orë. Në fillim, autorët e kanë ulur në një karrige dhe i kanë lidhur duart dhe këmbët me një kabllo elektrike. Pastaj ata kanë nisur ta rrahin me shqelma e grushta dhe kanë tentuar ta mbysin duke i lidhur kabllon rreth qafës.

Pas 16 orësh, ata e kanë lënë shqiptarin në rrugë në Vignola dhe aty ai është shpëtuar nga një mik i tij. Kur u dërgua në spital, shqiptari u trajtua për disa fraktura në trup, nofullë, në sy dhe për lëndime në kokë dhe në të gjithë trupin. Fytyra e tij ishte plotësisht e fryrë, dhe në kyçet e dorës, këmbët dhe rreth qafës kishte shenja të kabllos elektrike me të cilat ishte lidhur dhe autorët kishin tentuar ta mbytin.

Pasi mjekët panë plagët e tij, ata njoftuan menjëherë policinë. Kur këta të fundit kanë marrë në pyetje shqiptarin ai ka treguar se shkak për këtë ngjarje të rëndë ishte bërë kushëriri i tij. Ai iu tregoi policëve se autorët ishin në kërkim të kushëririt të tij, pasi ai iu kishte 60 mijë euro borxh.

Hetimet e policisë që kanë vazhduar për disa muaj janë finalizuar me arrestimin e 4 shqiptarëve të cilët përfunduan në burgun e Dozzës 48 orë më parë. Megjithatë, hetuesit janë ende në kërkim të personit që ishte objektivi i vërtetë i pengmarrjes. Dhe ata po përpiqen të kuptojnë nëse borxhi ka lidhje me botën e drogës apo, në përgjithësi, me krimin. Kjo pasi të arrestuarit kanë dënime të mëparshme për drogë dhe grabitje. Dy prej tyre ishin gjithashtu pjesë e një grupi që në vitin 2020 grabitën një dyqan bizhuterish në qendrën Meridiana në Casalecchio.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit