Klodian Allajbeu duket se çuditërisht është kursyer nga “Rithemelimi” i partisë Demokratike pasi dy koncesione të fituara prej tij në një vlerë prej rreth 28 milionë euro, janë hequr nga objekti i hetimit të Komisionit hetimor të Kuvendit në shëndetësi.
Bëhet fjalë për një komision hetimor me anëtarë nga Partia Socialiste dhe “Rithemelimi” për kontratat koncesionare në shëndetësi.
Mësohet se në kërkesën e parë të dorëzuar në Kuvend disa muaj më parë, është kërkuar hetimi për katër koncesione në shëndetësi, por çuditërisht pas marrëveshjes me socialistët “Rithemelimi” ka paraqitur një kërkesë të “përditësuar” ku befas ka hequr 2 koncesione të fituara nga Klodian Allajbeu, përkatësisht koncesionin e dializës dhe atë të laboratorëve.
Të dy këto koncesione të hequra nga lista i kushtojnë shqiptarëve nga taksat e tyre përkatësisht 9 milionë euro në vit dhe 19 milionë euro në vit, pra në total rreth 28 milionë euro në vit.
Megjithatë nga mediat mësohet se heqja e këtyre dy koncensioneve të dializës dhe atë të laboratorëve, nuk janë vënë si kusht nga ana e Partisë Socialiste. Kjo do të thotë se heqja e këtyre dy koncensioneve është realizuar me vullnetin e plotë të “Rithemelimit”.
Por le t’i analizojmë me radhë të dyja këto koncensione të fituara nga Klodian Allajbeu të cilat u hoqën nga “Rithemelimi” për të mos qenë pjesë e komisionit hetimor.
Koncesioni i Hemodializës
Ky koncesion i shumëpërfolur u dha nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2015 ndaj një kompanie të panjohur të quajtur Diavita Sh.P.K. Kjo kompani rezulton se raportoi një fitim prej gati 400 mijë euro që në vitin e parë të aktivitetit, madje pa investuar asgjë. Diavita Sh.P.K. u krijua nga dy kompani të tjera, përkatësisht 15% zotërohej nga American Hospital i Klodian Allajbeut dhe 85% nga Evita sh.p.k.
Pas marrjes së koncesionit, për të humbur gjurmeët, Evita sh.p.k shiti aksionet e saj tek një kompani guackë në Holandë për vetëm 160 mijë euro, pra thuajse sa 1/3 e fitimit neto të marrë vetëm gjatë vitit të parë të punës nga koncesioni i Hemodializës. Kompania që bleu aksionet quhej Arimo B.V. dhe kishte si pronare një bullgare anonime të ditëlindjes 1988 të quajtur Zoya Georgieva Gyurova.
Por ka dyshime se në të vërtetë transaksioni u krye nga vetë Klodian Allajbeu për humbjen e gjurmëve dhe për te mos dalë në pah fakti se në të vërtetë pas të dyja kompanive që themeluan Diavita Sh.P.K. ishte vetë ai.
Koncesioni i laboratorëve
Ky koncesion u fitua nga bashkimi i kompanive “Labopharma” me qendër në Tiranë, “Exalab” me qendër në Francë dhe një kompani guackë me emrin “AB Laboratory Solution” B.V e cila rezulton e regjistruar në Holandë. Prej vitit 2020 kontrata po zbatohet nga kompania koncesionare “Laboratory Networks”.
Ndërkohë Kontrolli i Lartë i Shtetit paditi në SPAK anëtarët e komisionit që dhanë koncesionin madje i kërkoi edhe Ministrisë së Shëndetësisë që të merrte masa për zgjidhjen e kontratës. KLSH solli në vëmendje se Ministria e Shëndetësisë e injoroi një shqetësim të Korporatës Ndërkombëtare të Investimeve, IFC, sipas së cilës integriteti i shoqërisë “AB Laboratory Solution” B.V të regjistruar në Holandë, vihej në diskutim.
Doli se sipas dokumentave, kjo kompani në fakt zotërohej nga firma shqiptare “PEGASUS” me pronar Janis Karathano. Sipas KLSH, kompania holandeze “AB Laboratory Solution” B.V u përdor si guaskë për të fshehur përqindjen reale të ndarjes së aksioneve në bashkimin e kompanive që fituan koncesionin.
Në raportin e KLSH thuhet ndë rtë tjera se: “..Nëse do të ishte paraqitur vetë Pegasus si aksioner në konsorciumin e ngritur, atëherë pjesmarrja e tij rezulton 75% e aksioneve dhe jo ndarja që është paraqitur në marrëveshjen e konsorciumit…, ku natyrisht ndryshojnë edhe kushtet e vlerësimit, të cilat në shumicën e detyrimeve i takojnë atij për t'u përmbushur si nga ana ligjore dhe financiare”.
Fituesi i paracaktuar
Kompania “Laboratory Networks” e cila do të realizonte zbatimin e kontratës koncesionare të analizave laboratorike pranë spitaleve universitare, rajonale dhe të spitaleve bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes, u regjistrua në 23 korrik 2019 në Tiranë me kapital 10 milionë lekë. Por ndërkohë Ministria e Shëndetësisë e kishte lidhur kontratën që në prill të 2019.
Kjo kompani është në pronësi të tre kompanive të përendura më sipër, përkatësisht “Labopharma” me qendër në Tiranë, “Exalab” me qendër në Francë dhe kompania guackë “AB Laboratory Solution” B.V e regjistruar në Holandë.
Më sipër sqaruam se pronar i vërtetë i kompanisë “AB Laboratory Solution” B.V që zotëron 33% të koncesionit, dilte Janis Karathano nëpërmjet kompanisë ‘PEGASUS”.
Kompania “PEGASUS” rezulton të jetë fituese e mbi 100 tenderave në shëndetësi me vlerë rreth 20 milionë euro. Nga këto, tenderat që kanë patur vlerat më të larta, i ka fituar në bashkëpunim me firmën “EVITA” të Klodian Allajbeut, i cili është gjithashtu edhe përfituesi i koncesionit abuziv të hemodializës.
Ndërkohë kompania tjetër e quajtur “Labopharma” rezulton në pronësi përsëri të Janis Karathano me 50% të aksioneve dhe 50% tjetër të aksioneve e ka një kompani fantazëm e krijuar në 2021 dhe e quajtur T-MEDSS me pronar Sokol Ramizi. Ky i fundit është gjithashtu edhe administrator i koncesionit të laboratorëve. Duke qenë se kompania “Labopharma” zotëron 41.7 % % të koncesionit, del se në total Janis Karathano zotëron në të vërtetë me letra 75% të koncesionit.
Ndërsa kompania tjetër e quajtur EXALAB me seli në Francë, është themeluar në vitin 1998 dhe administrohet nga Olivier MARQ dhe Valérie MARAZANOF me kapital rreth 4.8 milionë euro. Duket se në gjithë këtë lëmsh kompanish të sajuara e të ndërlidhura me njëra-tjetrën nga Janis Karatahno, kompania EXALAB është e vetmja kompani reale e cila ka si objekt të saj analizat laboratorike mjekësore.
Procedurat për këtë koncesion nisën në vitin 2015 nga Iir Beqaj dhe përfunduan në 2019 nga Ogerta Manastirliu.
Procedurat për koncesionin e laboratorëve nisën në vitin 2015 nga Ilir Beqaj dhe u finalizuan në 2019 nga Ogerta Manastirliu. Bazuar në kontratën koncesionare të firmosur në 29 prill 2019, spitalet shqiptare i paguajnë koncesionarit një tarifë shërbimi për analizat e kryera bazuar në rekomandimet e mjekëve referues.