Një 26-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane në Bracciano pasi ka vjedhur 250 kg produkte qumështi, djathë, nga një punishte mbrëmjen e 17 marsit.
Mediat italiane raportojnë se mbrëmjen e 18 marsit, Karabinierët e Seksionit të Policisë Bracciano iu vunë në ndjekje një makine që vinte nga Manziana. Por shoferi dhe pasagjerët e mjetit, duke parë patrullën, kanë tentuar të arratisen duke përplasur një postbllok.
Në këtë moment, dy burrat braktisën automjetin dhe u përpoqën të fshiheshin në fshatin e zonës Castel Giuliano.
Por, karabinierët kanë mundur të ndalojnë një shtetas shqiptar 26-vjeçar dhe e kanë arrestuar për veprën penale të rezistencës ndaj një zyrtari publik. Pasi kontrolluan makinën me të cilën po udhëtonte, karabinierët gjetën dhe sekuestruan disa pjesë argjendi dhe 250 kg produkte qumështi, të vjedhura mbrëmjen e 17 marsit nga një kompani në Canale Monterano.
Vlera e produkteve është rreth 6000 euro dhe ato i janë kthyer pronarit të ligjshëm.
Ndaj, për këtë arsye 26-vjeçari është denoncuar edhe në Autoritetin Gjyqësor për veprën penale të marrjes së sendeve të vjedhura, ndërkohë që po punohet për identifikimin e pronarit të sendeve të argjendit.