Detaje të reja janë zbardhur pas vrasjes së ndodhur mesditën e 15 marsit në fshatin Larushkë, Fushë-Krujë.
Ndryshe nga ajo çfarë u raportua më parë, i arrestuari Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, nuk është pjesë e grupit të autorëve që vranë Gentian Bejtjan në oborrin e shtëpisë së tij.
Hetuesit kanë arritur të zbulojnë se 41-vjeçari është personi që ka transportuar 4 autorët pasi ata kanë djegur mjetin e tyre tip “Land Rover Discover” në fshatin Hasan. Ai ka arritur në vendin ku ata kanë djegur makinën e krimit, 1 minutë me vonesë dhe pastaj i ka transportuar autorët në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë deri në fshatin Bubq, Krujë.
Për transportimin e autorëve, ai ka përdorur mjetin tip "Golf", pa targa në pjesën e pasme, të 30-vjeçarit Edison Haxhiu. Ky i fundit është arrestuar pasi ka dërguar makinën në lavazh për ta larë, por policia ende nuk është e bindur për rolin që ai ka patur në ngjarjen e rëndë.
Makina e tij është dërguar në laborator me qëllim gjetjen e provave të reja për autorët, të cilët mendohet se kanë qenë 4 persona, 3 prej tyre janë futur brenda oborrit të shtëpisë së Bejtjas dhe kanë qëlluar me kallashnikovë, ndërsa 1 tjetër mendohet se i ka pritur në makinë.