Gjykata e Posaçme ka liruar nga burgu Klea Gjatën, të dashurën e Laert Haxhisë, që u arrestua pak muaj më parë në kuadër të operacionit 'Kurrë mos Harro'.
E reja që po hetohet për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, tani që është liruar nga burgu, i ndalohet dalja jashtë territorit të Shqipërisë.
Arrestimi i saj erdhi pasi Artan Tafani, bashkëpunëtor i drejtësisë zbardhi ngjarje të shumta kriminale të regjistruara në vendin tonë. Në listën e emrave të personave që kishin lidhje me grupin e Laert Haxhisë, ishte edhe emri i një 27-vjeçareje nga Lushnja.
Tafani tha se Klea Gjata ka dijeni thuajse për çdo lëvizje dhe krim të Laert Haxhiut, ndaj dhe Prokuroria urdhëroi arrestimin e saj. Implikimi i Klea Gjatës me vrasësin Laert Haxhiu, lidhet jo vetëm nga dëshmia e Artan Tafanit, por dhe nga telefoni i saj.
Pas arrestimit, me kërkesë të prokurorisë së Elbasanit, 27-vjeçares iu sekuestrua një mjet tip Benz GLK dhe dy aparate telefonike. Nga këqyrja e tyre rezultoi se vajza nga Lushnja atë ditë dhe në ditët e tjera, kishte folur në telefon në mënyrë të vazhdueshme me Laert Haxhiun, edhe pse ai ndodhet në burg, në Greqi.
Të gjitha këto biseda të bërë në aplikacionin “WhatsApp” dhe aplikacione të tjera, janë në dorë të prokurorëve dhe administruar në dosjen hetimore, ku pritet që t'i kalojë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Posaçme.