Edhe pse qeveria flet për rritje ekonomike dhe optimizëm për në Bashkimin Europian, shqiptarët vijojnë të ikin me ritme që janë ndër më të lartat në botë, në raport me popullsinë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Eurostat, në 2023 kanë qenë 9,145 shtetas shqiptarë që kanë aplikuar për azil në një nga shtetet e Bashkimit Europian, ose 331 aplikime për 100 mijë banorë, nga 17 aplikime për 100 mijë banorë, që është mesatarja e të gjithë aplikimeve në BE.
Por këto të dhëna tregojnë se në raport me popullsinë përkatëse, Shqipëria ishte e treta në botë për aplikimet e larta për azil në raport me popullsinë.
Vendin e parë e mban Siria, si një shtet që prej vitesh po vuan pasojat e luftës civile. Ky shtet kishte 874 aplikime për 100 mijë banorë në vendet e BE-së në 2023. Në vend të dytë është Gjeorgjia, e cila kishte 668 aplikime për azil në BE për 100 mijë banorë. Gati gjysma e aplikimeve janë në Gjermani, të ndjekura nga Franca dhe Italia.
Në vend të tretë renditet Shqipëria dhe Franca vijon të jetë vendi i preferuar i shqiptarëve për azil. Sipas të dhënave zyrtare, aplikimet për në Francë në vitin 2023 ishin 3530 ose 38% e totalit të përgjithshëm. Gjermania renditet e dyta, me 2225 aplikime apo 24% e totalit.
Niveli i ulët i perceptuar i cilësisë së jetesës duket se është arsyeja kryesore se pse shqiptarët, sidomos të rinjtë, po vijojnë të ikin nga vendi me ritme që krahasohen me shtetet që janë në luftë apo konflikte civile.