Në Shqipëri, emigrimi i meshkujve rrit numrin e vajzave të diplomuara në degët ekzakte

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 20.03.2024, 15:25

Sipas Eurostat, numri i grave dhe vajzave shqiptare që ndjekin degët ekzakte në universitet është në rritje.

Në listën me 37 vende, Shqipëria renditet e katërta për përqindjen e lartë të femrave që ndjekin universitetin dhe diplomohen në degët si matematika, inxhinieria, ndërtimi, teknologjia dhe komunikacioni.

Këto të dhëna e klasifikojnë Shqipërinë te vendet ku femrat zënë 42 deri në 60% të të diplomuarve në këto fusha. Ndërkohë që në rajon, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë më para në renditje pasi kanë përqindjen më të lartë përkatësisht 48.4 % dhe 44.4 %.

Në Bashkimin Europian, Rumania mban vendin e parë me afro gjysmën e të diplomuarve femra në këto fusha, ndjekur nga Polonia, Greqia dhe Italia. Ndërsa përqindjen më të ulët e mban Belgjika me (27.4%), Spanja dhe Gjermani të dyja me 27.7%) dhe Austri (28.0%).

Por në një këndvështrim tjetër, këto të dhëna nga Eurostat, për numrin e lartë të femrave në degët ekzakte, lidhen dhe tregojnë shumë për emigrimin e meshkujve në Ballkan e veçanërisht në Shqipëri.

Me 1 janar 2023, në të gjithë vendin zyrtarisht ishin 71,6 mijë meshkuj më pak se në vitin 2018 me rënie 5%. Në të njëjtën periudhe kishim 36,8 mijë femra më pak, me rënie 2.6%. Edhe pse Shqipëria ka një raport gjinor në lindje që favorizon meshkujt, (mesatarisht në një vit lindin 105 djem për 100 vajza), emigracioni dhe jetëgjatësia e ulët kanë ndikuar në pakësimin e tyre.

Edhe sociologët e lidhin uljen e numrit të meshkujve me emigrimin masiv drejt vendeve evropiane, në kërkim të mundësive më të mira, por edhe të ndjerë të detyruar shpesh herë edhe për shkak të përgjegjësinë në familje e pagave të ulëta që ofron tregu në vendin tonë.

"Unë mendoj se ka një rubinet kryesor që po ndikon, së pari është emigracioni, largimi i meshkujve nga Shqipëria. Meshkujt largohen edhe për shkak të përgjegjësisë që mbajnë për mirëqenien e familjes, për shkak të nivelit të punës me pagesa shumë të ulëta, e treta globalizmi i tregut të punë. Kemi një problem që nuk është vetëm demografik”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit