Shqiptari vdiq në anijen e emigrantëve, familjarët: Qeveria britanike të marrë përgjegjësinë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 20.03.2024, 14:36

Familja e Leonard Farrukut, shqiptarit që vdiq dhjetorin e kaluar në anijen Bibby Stockholm, që përdorej për të akomoduar azilkërkuesit, thotë se qeveria britanike duhet të marrë përgjegjësinë për vdekjen e tij.

Familja ka nisur veprime ligjore kundër qeverisë për të detyruar një vendim mbi mbajtjen e një hetimi të pavarur për vdekjen e shqiptarit. Avokatët e familjes thanë se e morën vendimin pasi qeveria nuk iu përgjigj tre letrave të dërguara muajin e kaluar. Avokatët kanë kërkuar nga qeveria që të përgjigjet deri të premten për shkak të asaj që ata thanë se ishte nevoja urgjente për të siguruar prova në lidhje me rastin.

Azilkërkues të tjerë në maune kanë thënë se vdekja e Farrukut i ka traumatizuar dhe i ka bërë të frikësohen se të tjerët në bord mund të kenë një fat të ngjashëm.

Motra e Farrukut, Jola Dushku, tha:

“Ne mendojmë se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të marrë përgjegjësinë për vdekjen e Leonardit. Dëshira jonë është të kuptojmë të vërtetën për atë që ndodhi me Leonardin dhe të sigurohemi që e njëjta gjë të mos ndodhë me azilkërkuesit e tjerë. Mënyra për ta bërë këtë është që qeveria të kryejë një hetim të plotë dhe të pavarur për vdekjen e Leonardit."

Në letrën paraprake dërguar ministrit të drejtësisë, Alex Chalk, avokatët e familjes theksuan dështimin e qeverisë për të marrë një vendim nëse do të kryente një hetim të pavarur nga Avokati i Popullit të Burgjeve dhe Provës, i cili ka akses tek hetuesit specialistë me përvojë në mbledhjen e provave në lidhje me vdekjet e njerëzve që ishin të burgosur.

Edhe pse maunia nuk është një burg apo qendër paraburgimi, avokatët e familjes e përshkruajnë atë si "paraburgim" duke pasur parasysh vendndodhjen e saj të largët dhe kufizimet që lidhen me të jetuarit atje. Në letrat e tyre drejtuar qeverisë britanike, familjarët kanë ngritur shqetësime më të gjera në lidhje me kushtet në maune, duke përfshirë cenueshmërinë dhe nevojat komplekse të shëndetit mendor të atyre në bord, të cilët ata thonë se janë në "rrezik të lartë të vetëvrasjes".

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit