Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, është 41-vjeçari i arrestuar për vrasjen e Gentian Bejtjas në fshatin Larushkë, Fushë-Krujë.
41-vjeçari rezulton të jetë kushëriri i Ylli Brahimit, një emër i njohur për policinë, i cili i ka shpëtuar disa atentateve dhe i cilësuar si krahu i djathtë i Ervis Martinajt, personazhi i njohur i botës së krimit dhe lojrave të fatit.
Ka dyshime se 41-vjeçari, të cilit iu gjetën në shtëpi, dokumente të falsifikuara kosovare, të jetë paguar për vrasjen e Bejtjas. Në atentatin e ndodhur mesditën e 15 marsit, dyshohet se kanë marrë pjesë 4 persona, pasi edhe në automjetin e djegur të autorëve, u gjetën 4 kallashnikovë.
Beqaraj doli zbuluar pas përdorimit të automjetit tip "Golf" në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu. Ky i fundit është ndaluar dhe shoqëruar në polici, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Në shtëpinë e 41-vjeçarit Beqaraj, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin VALTER me tetë fishekë, një armë zjarri e markës BENELLI e cila mbahej me lejen e organeve të policisë, një brez me njëzet e nëntë fishekë arme zjarri, pesë pajisje si ato të radiove marrëse-dhënëse me mbishkrimin MIDLAND XT70.
Për vrasjen e Gentian Bejtjas, pak ditë më parë, policia shoqëroi shtetasin Valter Bami, i arrestuar edhe më parë për atentatet ndaj ish-policit Bejtja.