Vrasja e Gentian Bejtjas në Fushë-Krujë, arrestohet autori dhe ndihmësi i tij

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 20.03.2024, 11:06

Një 41-vjeçar është arrestuar si i dyshuar për vrasjen e Gentian Bejtjas, mesditën e 15 marsit në fshatin Larushkë, Fushë-Krujë.

Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari 41-vjeç, akuzohet si një prej autorëve të vrasjes së Bejtjas, ndërsa 30-vjeçari Edison Haxhiu, është ndaluar nga policia pasi akuzohet si personi që siguroi kushtet për të kryer vrasjen e 42-vjeçarit.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se këta persona, mesditën e 15 marsit janë afruar tek banesa e shtetasit Gentjan Bejtja me automjetin e markës "Land Rover Discover" me ngjyrë të zezë dhe pas kryerjes të vrasjes po me këtë automjet janë larguar në aksin rrugor Larushkë – Thumanë, pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin e mësipërm.

Pas këtij momenti, autorët janë larguar me një automjet tip "Golf" me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur intererarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë. Nga këqyrja dhe marrja e kamerave të sigurisë, është bërë i mundur identifikimi i automjetit tip "Golf" me targë AB960GG, në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu. Po kështu ka rezultuar se ky automjet është përdorur edhe nga shtetasi Ilir Mançellari.

Më datë 19.03.2024, policia ka gjetur dhe sekuestruar mjetin, ndërsa ka ndaluar e shoqëruar në komisariat, pronarin Edison Haxhiu. Ndalimi i tij është pasuar me arrestimin e Ilir Beqarajt i cili kishte edhe dy mbiemra të tjerë dhe dokumente të falsifikuara kosovare.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit I. B., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin VALTER me tetë fishekë, një armë zjarri e markës BENELLI e cila mbahej me lejen e organeve të policisë, një brez me njëzet e nëntë fishekë arme zjarri, pesë pajisje si ato të radiove marrëse-dhënëse me mbishkrimin MIDLAND XT70, një pasaportë e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit I. B., një kartë identiteti e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit I. B., dy aparate celular të markës IPONE dhe një aparat celular i markës SAMSUNG.

Të gjitha provat e administruara i janë nënshtruar ekzaminimeve kriminalistike dhe janë siguaruar elemente provash me prespektivë për hetimin e mëtejshëm të ngjarjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit