Shqipëria, e 7-ta në Europë për ndotjen, normat trefish mbi kufirin e OBSH-së

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 20.03.2024, 10:03

Kërcënimi më i madh mjedisor për shëndetin e njeriut është ndotja e ajrit pasi shkakton një në çdo nëntë vdekje në mbarë botën.

Organizata Botërore e Shëndetësisë bën përgjegjëse ndotjen e ajrit për rreth 7 milionë vdekje të parakohshme në botë çdo vit.

Ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit PM2.5 përkeqëson shumë kushte shëndetësore, duke përfshirë astmën, kancerin, goditjen në tru dhe sëmundjet e mushkërive. Për më tepër, ekspozimi ndaj niveleve të larta të grimcave të imëta mund të dëmtojë zhvillimin kognitiv te fëmijët, duke çuar në probleme të shëndetit mendor dhe komplikime të sëmundjeve ekzistuese, duke përfshirë diabetin.

Sipas një raporti për Cilësinë e Ajrit për vitin 2023, ajri që thithin shqiptarët po përkeqësohet nga dita në ditë dhe nga viti në vit. Shqipëria renditet në vendin e shtatë në Europë për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit, ndërsa në botë renditet e 60-ta. Përqendrimi mesatar vjetor i PM2.5 është 16.7, duke tejkaluar trefishin e kufirit të vendosur nga OBSH.

Ndërkohë që në renditjen e kryeqyteteve për nivelin e ndotjes së ajrit, Tirana është në vendin e 51 në botë, pas Shkupit dhe Podgoricës, përkatësisht në vendet e 30 dhe 36.

Në Europë, Islanda mbetet vendi më pak i ndotur me një përqendrim mesatar prej 4 µg/m3, ndërsa Bosnje Hercegovina edhe pse pa një rënie prej 18% në nivelet e PM2.5 në 2023 krahasuar me 2022, mbetet sërish vendi më i ndotur në Europë, duke raportuar një përqendrim mesatar vjetor prej 27.5 µg/m3.

Në rang global Begusarai, një qytet me gjysmë milion banorë në shtetin Bihar të Indisë veriore, ishte qyteti më i ndotur në botë vitin e kaluar me një përqendrim mesatar vjetor të PM2.5 prej 118.9 – 23 herë më shumë se udhëzimet e OBSH-së. Ajo u pasua në renditjen e IQAir nga qytetet indiane të Guwahati, Assam; Delhi; dhe Mullanpur, Punjab.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit