Prokuroria e Tiranës ka konfiskuar pasuritë e dy vëllezërve, Selami dhe Vasil Duraku të cilët janë përfshirë në aktivitetin kriminal të trafikimit të narkotikëve në bashkëpunim.
Paratë e fituara nga "shtëpitë e barit" në Angli, dy vëllezërit i kishin investuar në apartamente, të cilat i kishin kaluar në emër të prindërve. Por nga analiza financiare e prokurorisë ka rezultuar se dy prindërit, përkatësisht 80 dhe 63-vjeç, nuk kanë patur mundësi kursimi nga të ardhura të ligjshme që kanë shërbyer si burim krijimi për kryerjen e investimeve në blerjen e pasurive të paluajtshme.
Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe me vendimin në datë 13.03.2024 vendosi konfiskimin e pronave të mëposhtme:
– Apartament, me sipërfaqe 103.20 m2 në rrugën Aleksander Moisiu, Tiranë;
Apartament me sipërfaqe 100 m2 në rrugën Aleksandër Moisiu, Tiranë;
– Garazh me sipërfaqe 17.20 m2 në rrugën Aleksandër Moisiu, Tiranë; dhe
– Garazh, me sipërfaqe 17.40 m2 në rrugën Aleksandër Moisiu, Tiranë.
Pasuritë e mësipërme u konfiskuan dhe kaluan në pronësi të shtetit pasi nga hetimi i kryer, rezultoi se djemtë e tyre janë përfshirë në aktivitetin kriminal të trafikimit të narkotikëve në bashkëpunim. Dy vëllezërit kishin kultivuar plantacion me kanabisi, të cilin e prodhonin në sera dhe pastaj e tregtonin duke arritur fitime të mëdha. Ndërsa pas ndalimit autoritetet britanike, i gjetën Vasil Durakut edhe 363 mijë paund në banesë.
Prokuroria thotë se pasuritë e mësipërme janë krijuar pas dhe gjatë periudhës së aktivitetit kriminal dhe vlera e tyre nuk i përgjigjet dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme, të deklaruara dhe as nuk justifikohen prej tyre.