Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" për infermierin Mersin Mlloja i cili akuzohet për "vrasje të mbetur në tentativë".
Pak ditë më parë, 38-vjeçari që punon në Qendrën Shëndetësore Bushat, ka tentuar të shtypë me makinë 2 kolegët e tij, Davë dhe Kristian Ndoja, nënë e bir. Avokati i infermierit ka treguar se shkak për ngjarjen është bërë bullizimi që kolegët i bënin 38-vjeçarit dhe ka kërkuar masën e sigurisë "detyrim paraqitje".
Ai ka thënë se gjithçka ka nisur pas një trajnimi ku infermierët e Vaut të Dejës ishin pjesëmarrës. Sipas tij, gjatë trajnimit Dave Ndoja i është drejtuar infermierit duke i thënë se “ti je për në kosh të mbeturinave. Ku di gjë ti, je sakat”.
Këto fyerje, 60-vjeçarja i ka bërë për shkak të një problemi fizik që Mersin Mlloja ka me njërën prej këmbëve. Por 38-vjeçari është ndjerë i bullizuar dhe i fyer disa herë nga kolegia e tij dhe pas mbarimit të trajnimit ka tentuar ta përplasë me makinë.
Por, avokati i tij ka thënë se përplasja ka qenë e lehtë dhe në momentin që infermieri iu është afruar kolegëve, ka frenuar duke ulur pothuajse plotësisht shpejtësinë.