Këtë të martë, në Kishën e Laçit ka nisur pelegrinazhi i shenjtë i 13 të martave.
Me qindra besimtarë, të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe nga Kosova, i janë drejtuar Kishës së Shën Ndout në Laç për t'u lutur për shëndet e mbarësi në familjet e tyre. Ata thonë se besimi te kjo kishë është i madh dhe lutjet e tyre janë për të gjithë.
“Unë lutem për gjithkënd. Prej Kosove jam çuar apostafat”
"Nga Tirana. Lutem për fëmijët, për dashamirësit e njerëzimin. Kam shumë besim".
"Lutem për fëmijët. Vend i bekuar, na ka ndihmuar, për gjithçka i jemi lutur na ka dal në krah".
"Vijmë shpesh, përderisa vijmë këtu kam besim. Kam parë njerëz që kanë ardhur në barela dhe janë kthyer në këmbë. Lutem për gjithë njerëzit e mi, mbarë ia bëftë gjithë popullit shqiptar Kisha e Laçit”.
Pelegrinazhi i 13 të martave bashkon shqiptarë të cilët i përkasin feve të ndryshme, muslimanë, katolikë, ortodoks, të cilët pavarësisht besimit të tyre zgjedhin të vizitojnë “vendin që bën mrekulli”. Për 13 të marta radhazi deri më 11 qershor, besimtarët do t'i drejtohen Kishës për të kryer pelegrinazhin e shenjtë.