Gjakovë- Policia e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët bashkëpunim për kapjen dhe arrestimin e Shkelzen Ahmetit, i dyshuar për “Vrasje të rëndë në tentativë”.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë njofton se bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë për publikimin e fotografisë të personit të dyshuar në rast, me qëllim lokalizimin e tij, ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarët.
“Personi i dyshuar është: Shkelzen (Ismet) Ahmeti i lindur me 14.08.1992 banues në Gjakovë. Lidhur me rastin “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve” pranë Sektorit Rajonal të Hetimeve në Drejtorinë Rajonale të Policisë-Gjakovë janë duke u zhvilluar hetime intensive ku gjatë veprimeve hetimore është identifikuar i dyshuari i lartcekur”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me rastin, thuhet se nuk është arritur të sigurohet prezenca e të dyshuarit edhe përkundër angazhimeve hetimore dhe operative nga ana e Sektorit Rajonal të Hetimeve dhe njësiteve tjera në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës, kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar të paraqitur në fotografinë e bashkangjitur, të lajmërojnë policinë, qoftë përmes numrave të telefoni 192, 080019999 (pa pagesë) dhe 045/930-220, apo përmes aplikacionit “lajmëro policinë” si dhe në stacionin më të afërt policor”, njofton Policia.