Një 42-vjeçare e identifikuar si Leta.K është arrestuar një ditë më parë në Krujë pasi ka vrarë foshnjën e porsalindur.
42-vjeçarja e cila është e martuar dhe nënë e 5 fëmijëve, 3 vajza dhe 2 djem nga 20-vjeç e poshtë, e ka lindur foshnjen në banesën e saj pa e ditur askush për shtatzëninë e saj, as bashkëshorti i saj madje.
Por ajo pretendon se foshnja ka lindur e vdekur dhe për këtë arsye e ka futur në një qese plastmasi dhe e ka hedhur në bregun e lumit të Tapizës. Pas kësaj ajo është paraqitur në spital, në gjendje jo të mirë shëndetësore. Aty mjekët kanë mësuar për shtatzëninë e saj dhe kanë njoftuar policinë.
Fillimisht para hetuesve, gruaja ka pretenduar se foshnja ka lindur e vdekur dhe për këtë arsye e ka hedhur në lum, por që nuk e mbante mend vendin fiks ku e ka hedhur.Por disa orë më vonë, ajo ka rrëfyer ngjarjen e plotë dhe policia i ka vënë prangat duke e akuzuar për vrasjen e foshnjes.
Për momentin nuk dihet shkaku që fshihet pas këtij veprimi, por nuk përjashtohet mundësia që fëmija të jetë nga një marrëdhënie jashtëmartesore.