Aksidenti i ndodhur mbrëmjen e kaluar në Tepelenë, ku humbën jetën 4 persona dhe u plagosën rëndë dy të tjerë, mund të ishte shmangur nëse do ishin zbatuar rregullat e qarkullimit rrugor.
Kështu thotë eksperti i sigurisë rrugore, Artur Sulçe, i cili duke parë skenën e aksidentit evidenton 2 shkelje alarmante, përveç shpejtësisë. E para thotë ai, lidhet me parakalimin e gabuar të mjetit tip 'Benz' që drejtohej nga 42-vjeçari Riza Rrapaj.
“Parakalimi i shpejtë bëhet për 7 sekonda dhe parakalimi normal bëhet për 14 sekonda. që të bësh një parakalim të sigurt duhet që distanca e shikueshmërisë duhet të jetë 5x 80 pra duhet të ishte 400 metër.aty është kthesë dhe ai ka hyrë në një distancë shikueshmërie shumë të vogël”.
Ndërkohë që shkelja e dytë lidhet me mos ruajtjen e distancës nga mjeti tip "BMW", drejtuesi i të cilit u arrestua sot dhe akuzohet veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
“Duhet të jetë katrori i të dhjetave. Pra nëse shpejtësia është 80 km/h. Atëherë distanca e sigurisë që duhet të kishte BMW me Toyot-ën duhet të ishin 64 metër, Fakti që ato janë përplasur tregon që nuk është ruajtur ajo distancë”.
Ky aksident i ndodhur në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj, e çon në 27 numrin e viktimave nga aksidentet që nga fillimi i vitit 2024 e deri më tani.