36 orë pas aksidentit rrugor në Via Casilina, Itali, ku humbën jetën Marin Kola, 23 vjeç dhe Blerim Miha, 27 vjeç, karabinierët dhe zjarrfikësit kanë gjetur një trup të tretë.
Trupi i një 33-vjeçari, gjithashtu shtetas shqiptar, pasagjer në automjetin e vjedhur BMW 4, i cili u përplas me pemët, u gjet vetëm 300 metra larg aksidentit.
Pas vdekjes tragjike të Marin Kolës dhe Blerim Mihës, familjarët e 33-vjeçarit kishin denoncuar zhdukjen e tij. I riu shqiptar ishte në makinë me ta, por ekipet e shpëtimit në fillim nuk gjetën asnjë gjurmë të tij. Gjatë gjithë të dielës, zjarrfikësit dhe karabinierët kanë kërkuar në kanalin e lumit Sacco që kalon përgjatë asaj rruge midis Colleferro dhe Anagni. Por kërkimet ishin pa rezultat deri mëngjesin e sotëm.
Rreth orës 10:50, pothuajse 36 orë pas ngjarjes që ndodhi në orën 22:30 të së shtunës, 16 mars, 33-vjeçari u gjet i vdekur. Hetuesit kanë dyshime se shqiptari pasi është hedhur nga BMW-ja e cila ka qenë me shpejtësi mbi 200 kilometra në orë, ka tentuar të largohet, por pas 300 metrash ka ndërruar jetë.
Makina me të cilin lëviznin shqiptarët ishte vjedhur në Cassino, kishte targat e një BMW X1 ndërsa nga numri i shasisë u konstatua se ishte vjedhur nga një BMW seria 4. Për shkak të shpejtësisë, makina ka dalë jashtë rrugës dhe është përplasur me një pemë, ku ka shpërthyer në flakë.
Si pasojë e këtij aksidenti, në vendngjarje humbi jetën 23-vjeçari Marin Kola dhe 27-vjeçari Blerim Miha, ndërsa mbeti i plagosur rëndë një 28-vjeçar shqiptar i cili fillimisht u dërgua në spitalin Colleferro dhe më pas në poliklinikën Tor Vergata.
Shqiptarët ishin të njohur për policinë për krime kundër pronës. Në makinën e tyre policia gjeti një shkop elektrik, një levë dhe mjete të tjera të dobishme për vjedhje.