Një muaj pas vdekjes së shqiptarit, Edison Malaj, në vendin e punës, në Castrovillari, Itali kanë nisur protestat.
Shqiptarë të shumtë, por edhe italianë, banorë të zonës, marshuan në rrugët kryesore të qytetit me qëllim marrjen e masave për plotësimin e kushteve të punës.
55-vjeçari shqiptar, baba i dy fëmijëve, humbi jetën pasi një pllakë betoni u shkëput nga vinçi ku po i ngarkonte në kamion dhe i ra në kokë. Vdekja e tij ishte e menjëhershme dhe kolegët që ndodheshin pranë tij, nuk mund të bënin asgjë për t'i shpëtuar jetën.
Prokuroria që po heton ngjarjen e rëndë ende nuk ka dalë në konkluzionin, që kompania ku ishte i punësuar shqiptari nuk ka zbatuar rregullat e sigurisë dhe kushtet e punës. Nën hetim për ngjarjen vijojnë të jenë pronari dhe dy përgjegjës të kompanisë.
Prokurorët kanë sekuestruar gjithashtu kamerat në kantierin ku ndodhi tragjedia si dhe vijojnë me marrjen e dëshmive të punonjësve të tjerë që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes.
Vajza e shqiptarit, Sara, në marshimin për babain e saj tha se shpreson që drejtësia do bëjë detyrën e saj.
“Shpresojmë që drejtësia të bëjë detyrën e saj dhe ky është një hap i parë. Babi ishte një njeri solar, e donin të gjithë dhe nuk thoshte kurrë jo”.