‘Raiffeisen Bank’ rrezikon të mbyllet nga SHBA

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 18.03.2024, 10:28

Uashingtoni po ushtron presion te bankat e fundit të mbetura në Evropë që ende bëjnë biznes me Rusinë. Një prej këtyre bankave është Raiffeisen Bank International dhe në rast të mostërheqjes, banka rrezikon të mbyllet nga sistemi financiar i SHBA-së.

Zyrtarja më e lartë e zbatimit të sanksioneve të Thesarit, ushtruesja e detyrës së ndihmës sekretares Anna Morris, u takua të premten në Vjenë me zyrtarë austriakë dhe përfaqësues të Raiffeisen Bank International për të shpjeguar rrezikun e mbylljes së bankës nga sistemi financiar amerikan nëse nuk distancohet më qartë nga ekonomia e luftës e Rusisë.

Përjashtimi nga sistemi i dollarit do të sillte katastrofë për Raiffeisen dhe do të përbënte një siklet serioz për autoritetet evropiane, duke nënkuptuar se ata ose nuk ishin në gjendje ose nuk dëshironin të përmbushnin retorikën e tyre për ndëshkimin e Rusisë.

Raiffeisen thotë se i ka ulur ndjeshëm operacionet e saj në Rusi që nga pushtimi i Ukrainës nga Moska dy vjet më parë. Banka pretendon se ka ndaluar marrjen e bizneseve të reja, duke reduktuar librin e saj të kredive me më shumë se gjysmën dhe ka ndaluar operacionet bankare korrespondente, duke ngushtuar ndjeshëm rrethin e njerëzve me të cilët bën biznes atje.

Të ardhurat e saj nga komisionet tarifat që gjeneron përmes biznesit të saj të përditshëm ranë me 43 për qind vitin e kaluar.

Megjithatë, Raiffeisen ka hezituar të shkëpusë plotësisht lidhjet me një filial që është banka më e madhe në pronësi të huaj në Rusi, dhe e cila gjeneroi rreth 60 për qind të fitimit të saj vitin e kaluar. Ndërsa perspektiva e një përfundimi të shpejtë të luftës është zbehur, dyshimet janë shtuar se banka po zvarrit punën, duke shpresuar të ringjallë biznesin sapo të rivendoset paqja.

Pas nisjes së konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, shumë marka ndërkombëtare njoftuan tërheqjen e tyre nga Rusia, por edhe pse kanë kaluar dy vite që nga nisja e konfliktit ka ende marka që e vijojnë aktivitetin e tyre në të dyja vendet. Te këto marka e kompani, përfshihen ato austriake, që edhe sot e kësaj dite mbeten “shumë të angazhuara” në të dy vendet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit