Evis Berberi, ish-drejtori i ARRSH-së që u arrestua një ditë më parë për korrupsion dhe pastrim parash, në shtëpi mbante miliona lekë.
Kur prokurorët e BKH-së kanë shkuar në shtëpinë e tij për kontroll kanë gjetur dhe sekuestruar 40 milionë lekë cash, piktura mijëra euroshe, një laptop, USB dhe dokumente të tjera.
Berberi paratë që kishte përfituar nga tenderat i investonte në pasuri të paluajtshme, por jo në emrin e tij. Të gjitha paratë e fituara dhe zhvatura nga shteti shqiptar, ai i investonte te "ish-kompania" e tij, "DAAM.shpk."
Kjo kompani në zotërim indirekt të Berberit ka përfituar të ardhura nëpërmjet transaksioneve nga shoqëria e shtetasit Valter Begaj. “N….Group”sh.p.k., në vlerën 223,480,476 (dyqind e njëzet e tre milion e katërqind e tetëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekë, me tvsh.
Përveç kësaj, kjo kompani ka paguar edhe për pushimet luksoze të Berberit në resortet më të shtrenjta në Turqi. Gjatë kontrollit në banesën e tij, është gjetur një faturë nga llogaria bankare e shoqërisë "DAAM ShPK" në një bankë të nivelit të dytë me një vlerën 5,000 Euro.
Kjo kompani ka paguar pushimet e Evis Berberit, bashkëshortes dhe dy fëmijëve të tij të mitur, për 10 ditë në hotelin "Regnum Carya Golf & Spa Resort" në Belek, Antalia, Turqi, me dhomë "Luxury", së bashku me ushqimin "Luxury all inclusive".
Paketa turistike për kreun e ARRSH Evis Berberi dhe familjen e tij, ka përfshirë udhëtimin me avion nga Tirana ne Antalia që sipas këqyrjes rezulton se nisja është bërë me date 12.08.2020 dhe kthimi me date 22.08.2020.