Bashkia Shijak mund të duket në pamje të parë si një bashki e vogël e pa shumë para, por në fakt “pas kuintave” i bën gjëmën parave publike. Kryetari i saj, Elton Arbana, rezulton se ka shpërdoruar plot 650 milionë lekë të vjetra me TVSH duke shpallur fituese firmën që dha ofertën më të lartë.
Bëhet fjalë për një tender që ka si objekt “Rehabilitimi i rrugëve në Lagjen Metallaj, Karpen, Bodinok Nj.Ad. Maminas” dhe mban numrin e referencës REF-92191-12-27-2023. Ndërsa fondi limit i kësaj procedurë është caktuar në shifrën 55,343,180 lekë të reja pa TVSH ose gati 660 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Duke studiuar dokumentat e këtij tenderi del pikërisht ajo që thamë që në fillim. Në garë kanë marrë pjesë 5 kompani, nga të cilat është shpallur fituese ajo që ka dhënë ofertën më të lartë. Bëhet fjalë për bashkimin e operatorëve HTM dhe VILDEV-CO, përkatësisht në pronësi të Ilir Tabaku dhe Zhulieta Myrtollari.
Këta kanë fituar duke ofruar shifrën 54,450,706 lekë të reja pa TVSH ose gati 650 milionë lekë të vjetra me TVSH. Abuzimi vihet re lehtësisht që kur krahason vlerën fituese me ofertën më të ulët, diferencë kjo që shkon në rreth 170 milionë lekë të vjetra me TVSH, një shifër tepër e lartë. Nga ana tjetër vlera fituese rezulton të jetë sa 98% e fondit limit, çka i shton më tej dyshimet se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar.