20 persona janë shoqëruar deri më tani në polici për atentatin e ndodhur një natë më parë në fshatin Grudë e Re në Shkodër.
Shënjestër e këtij atentati dyshohet se ka qenë Gjon Nika, por në momentin e ngjarjes me të ka qenë edhe 28-vjeçari Gjergj Ndërshtiqaj, student i Akademisë së Sigurisë në Tiranë.
Dy të rinjtë kanë mbetur të plagosur lehtë nga ky atentat edhe pse 4 autorët kanë zbrazur 111 plumba në drejtim të tyre. Në vendin e ngjarjës janë gjetur 103 gëzhoja automatike, ndërkohë që në makinën e autorëve janë gjetur dhe sekuestruar 3 armë zjarri, tip kallashnikov dhe 8 gezhoja.
Me rëndësi për hetuesit është një gjurmë gjaku që mendohet se i përket njërit prej autorëve që mund të jetë plagosur nga një plumb rikoshet.
Ka dyshime se autorët kanë ndjekur efektivin e policisë dhe kunatin e tij disa orë para se të ndodhte atentati. Kur është marrë në pyetje, efektivi i policisë ka treguar se pas ka pritur vizita në shtëpi për një rast vdekje, ka dalë me kunatin Gjon Nika për të pirë kafe.
Por sapo janë afruar në lokal një makinë tip "Renault" ka ndaluar më shpejtësi dhe ka hapur sulm mbi ta. Kur ka dëgjuar të shtënat, efektivi dhe kunati i tij janë fshehur pas makinës dhe në një moment që ai ka dashur të nxjerrë armën e shërbimit dhe të qëllojë, është plagosur.
Nga kamerat e sigurisë dhe dëshmitë dyshohet se 4 autorët kanë pasur veshje fosforishente si ato të policisë.