Në 2023, 21 mijë të rinj dolën nga tregu i punës për t’u zëvendësuar nga pensionistët

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 13.03.2024, 10:46

Struktura e grupmoshës së të punësuarve në Shqipëri ka pësuar një ndryshim drastik pasi ka një ulje të numrit të të rinjve dhe rritje të pensionistëve.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se gjatë periudhës tetor-dhjetor të vitit 2023 ishin të punësuar mbi 253,5 mijë persona të moshës 15-29 vjeç ose 21 mijë më pak se në të njëjtën periudhe të vitit 2022. E thënë ndryshe, punësimi në këtë kategori ra me -7.7%.

Por rënia e punësimit të të rinjve është shoqëruar me një rritje jo të zakontë të punësimit të pensionistëve (grup-mosha mbi 64 vjeç). Sipas të dhënave nga INSTAT punësimi në këtë grup pati një zgjerim vjetor me gati 50% në tremujorin e fundit të vitit 2023. Gati 82 mijë persona mbi 64 vjeç ishin në punë në tetor-dhjetor 2023 nga 54,5 mijë që ishin në të njëjtën periudhe të vitit 2022. Të dhënat tregojnë se, ishin punësuar mbi 27 mijë pensionistë më shumë se në 3 mujorin e fundit të vitit 2022.

Edhe pse vitet e fundit ka një kërkesë më të madhe për punësimin e të rinjve, statistikat tregojnë krejtësisht të kundërtën. Ndikuar nga ulja e lindjeve dhe emigrimi masiv, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022, shkalla e papunësisë për të rinjtë, është rritur me 0,6 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e tretë 2023, ky tregues është ulur me 0,02 pikë përqindje.

Në tremujorin e katërt të vitit 2023 shkalla e punësimit të të rinjve ishte 43,1%, ndërsa për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2023, shkalla e punësimit është 77,5%.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit