Një 17-vjeçar është arrestuar në Fier pasi akuzohet se ka bashkëpunuar në vrasjen e 19-vjeçarit Grei Bihucit.
17-vjeçari, banues në fshatin Kallm i Madh dhe 18-vjeçari i arrestuar një ditë më parë, Florjan Muka, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë vrarë me thikë 19 vjeçarin Grei Bihuci dhe kanë plagosur 20 vjeçarin i cili është në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur dhe sekuestruar një thikë dhe një përforcues grushti.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për ngjarjen e ndodhur rreth orës 11:30, në bulevardin “Jakov Xoxa”, Fier, informojmë se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier, në drejtimin e Prokurorisë, u arrestuan në flagrancë shtetasit 18 vjeç, banues në Fier dhe 17 vjeç, banues në fshatin Kallm i Madh, Fier. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë vrarë me mjet prerës (thikë), shtetasin 19 vjeç, dhe kanë plagosur shtetasin 20 vjeç, i cili është në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një mjet prerës (thikë) dhe një përforcues grushti, të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes.