Kryetari i Bashkisë Kavajë, në vend që të punojë sa më shumë për të përmirësuar jetesën e qytetarëve të Kavajës, e ka mendjen të vjedhë me lopatë. Madje vjedhjet e tij bëhen aq hapur sa as që e merr mundimin të sajojë ndonjë manovër për të mos rënë në sy. Përkundrazi.
Rezulton se Qosja i Kavajës i ka dhënë rreth 440 milionë lekë të vjetra me TVSH firmës që ofroi shifrën më të lartë në një tender ku tre firma të tjera ofruan më pak se fituesi. Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit që mban numrin e referencës REF-94268-01-31-2024 dhe ka si objekt “Blerje asfalti”, për një fond limit në vlerën 37,500,000 lekë të reja pa TVSH ose gati 450 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Nëse do të hapim dhe të shfletojmë dokumentat e procedurës, do të shikojmë se kanë marrë pjesë në garë 4 kompani, nga të cilat Qosja ka shpallur fituese firmën me ofertën më të lartë. Bëhet fjalë për firmën A.L-ASFALT në pronësi të Astrit Varaku dhe Luan Mema.
Kjo firmë fitoi me vlerën 37,001,301 lekë të reja pa TVSH ose rreth 440 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Nëse krahasojmë këtë vlerë me vlerën më të ulët të ofruar nga të tjerët, del një diferencë prej gati 150 milionë lekësh të vjetra me TVSH.
Kuptohet se kjo është një diferencë kolosale ku në rastin më të mirë këto para janë një humbje e pastër për shtetin. Jo vetëm kaq, por vlera fituese del sa 99% e fondit limit, duke dhënë sinjale të qarta se kemi të bëjmë me një vjedhje të hapur. Por pavarësisht kësaj, Qosja vazhdon të vjedhë i qetë paratë e qytetarëve dhe askush nuk i thotë gjë.