Policia angleze ka vënë në dispozicion një shpërblim prej 10,000 £ për kapjen e tre të rinjve shqiptarë që akuzohen për një vrasje në Warwickshire.
Kevin Vucini (25-vjeç), Brigen Carrica 'Qarrica' (21-vjeç) dhe Rrezon Cengu (22-vjeç), të gjithë me origjinë shqiptare, kërkohen nga hetuesit për vrasjen e ndodhur në Leamington në orët e para të së enjtes, 10 gusht 2023.
Hetimi nisi pasi 30-vjeçari Ben Daly u gjet me një plagë me armë zjarri në Ranelagh Terrace. Ai u dërgua me urgjencë në spital, por më vonë vdiq. Një person deri më tani është akuzuar për vrasje, por policia po kërkon edhe tre shqiptarët që dyshohet se jetojnë në Essex, Londër ose Luton.
Policia iu ka bërë thirrje qytetarëve që të njoftojnë autoritetet nëse shohin diku shqiptarët dhe të mos iu afrohen atyre. Policia thotë se tre të rinjtë shqiptarë duhet të merren në pyetje për vrasjen e 30-vjeçarit.