Olti Dulçe, shqiptari i akuzuar për pjesëmarrjen në vrasjen e avokatit Michalis Zafeiropoulos, tentativën ndaj avokatit Giorgos Antonopoulos dhe “masakrën e Mikrolimanos” në vitin 2014, është kreu i bandës që trafikonte lëndë narkotike në burgun e Trikallës.
41-vjeçari shqiptar me ndihmën e gjashtë bashkëpunëtorëve të tij të arrestuar nga efektivët e NënDrejtorisë së Sigurisë Trikala, ka arritur që nga fillimi i vitit 2023 të fusë drogë në burgje gjithsej pesë herë, pa u vënë fare.
Një 44-vjeçar i burgosur në burgjet e Trikallës kishte marrë përsipër futjen e drogës nëpërmjet të afërmve të tij. Sasitë e heroinës e kishin destinacionin përfundimtar qelinë e 41-vjeçarit Olti, i cili ishte përgjegjës për trafikimin te të burgosurit e tjerë.
Oficerët e sigurisë arrestuan nënën dhe motrën e 44-vjeçarit, të cilat ishin anëtaret e bandës që siguronin dorgën dhe më pas e çonin në burgje. Ato e vendosnin drogën në çanta të posaçme që të mos zbuloheshin gjatë kontrollit nga punonjësit e burgut. Tek dy femrat dhe dy anëtarët e tjerë të arrestuar u gjetën dhe u konfiskuan sasi kanabisi, ndërsa në dy qelitë e dy anëtarëve të burgosur policia gjeti 8 pako najloni me 33.6 gram heroinë dhe pesë thasë që përdoreshin për transportin e drogës. Në të njëjtën kohë u gjetën pesë thika të improvizuara dhe një celular.
Sipas policisë, llogaritet që grupi të ketë fituar rreth 50 mijë euro nga tregtia e drogës.
Olti Dulçe, me precedentë në Shqipëri, u arrestua në 31 gusht 2016 në pikën e kalimit kufitar Gueshevo në Bullgari dhe më pas u ekstradua në Greqi.