Meshkujt në Shqipëri po pakësohen me ritme më të larta se femrat dhe këtë e tregojnë më së miri të dhënat e INSTAT ndër vite.
Me 1 janar 2023, në të gjithë vendin zyrtarisht ishin 71,6 mijë meshkuj më pak se në vitin 2018 me rënie 5%. Në të njëjtën periudhe kishim 36,8 mijë femra më pak, me rënie 2.6%. Edhe pse Shqipëria ka një raport gjinor në lindje që favorizon meshkujt, (mesatarisht në një vit lindin 105 djem për 100 vajza), emigracioni dhe jetëgjatësia e ulët kanë ndikuar në pakësimin e tyre.
Nga viti 2018-2022, qarku me rënien më të madhe të popullsisë së meshkujve ishte qarku i Gjirokastrës me 18% nga 5% që është mesatarja kombëtare, ndërsa i dyti renditet Berati me rënie 15%. Më pas vjen Dibra me rënie me 12%, Elbasani me 11%, Fieri me -10%, Korça me -12%, ndërsa vetëm Tirana shënoi rritje të numrit te meshkujve me 4% gjatë 2018-2023.
Në qarqe, rënia e popullsisë së meshkujve është më evidente për shkak të emigrimit të brendshëm dhe të jashtëm dhe jetëgjatësisë më të ulët se në Tiranë.
Shumica e qarqeve të vendit 9 prej 12 gjithsej janë duke vuajtur rënien e popullsisë edhe nga emigrimi i brendshëm, përveç ikjes jashtë vendit dhe tkurrjes së lindjeve.