"Eni milioner, 1 milionë dollarë dhe milioner", janë disa prej shkrimeve të zbuluara në kasollen ku 3 fëmijët, Hysen, Hygerta dhe Amarildo, groposën babain e tyre Pëllumb Meta.
Hysen Meta, djali i madh i familjes njihej ndryshe me emrin 'Eni' dhe ka dyshime se këto shkrime mund të jenë shkruar prej tij. Por koha se kur janë shkruar nuk dihet dhe as domethënia e tyre.
Ai kishte qenë më parë emigrant në Angli ku kishte qëndruar edhe në kamp, por më pas ai kishte shkuar në Itali, ku edhe atje nuk kishte punuar dhe ishte kthyer sërish në Shqipëri 12 ditë para se të vriste babanë bashkë me motrën.
Në Shqipëri ai ishte i papunë dhe i kishte kërkuar babait t'i blinte makinë. Ky i fundit ishte pronar i disa tokave me vlerë rreth 500 mijë euro dhe ka dyshime se pronësia e tyre mund të jetë bërë shkak për ngjarjen e rëndë.
Hetuesit kanë arritur të sigurojnë prova ku Hyseni i thotë motrës që ta marrë ajo përsipër krimin pasi ai do shiste tokën për ta nxjerrë nga burgu. Prandaj për momentin, konfliktet për motive pronësie po shqyrtohen si pistë kryesore për hetimet.