13 banesa të dëmtuara nga shpërthimi në Lushnje dhe 3 akuza të ngritura

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 04.03.2024, 13:41

Policia e Lushnjes ka referuar në Prokurorinë e Fierit materialet për shpërthimin që ndodhi mesditën e së premtes në Lushnje, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën 7 të tjerë.

Hetuesit kanë ngritur akuza për tri vepra penale: ndërtim i paligjshëm pasi objekti ka devijuar nga leja, shkatërrim prone nga pakujdesia dhe shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.

Përveç jetëve të humbura dhe plagosjeve, si pasojë e këtij shpërthimi janë dëmtuar 13 banesa dhe 1 biznes. Por do jetë inspektoriati i ndërtimit, ai që do vijojë me kryerjen e procedurave për dëmet e shkaktuara.

Pista fillestare e hetimeve, ajo e kontaktit të bombolave me linjën e tensionit të lartë, ka rënë poshtë pasi dyshimet janë se bombola mund të ketë shpërthyer për shkak të nxehtësisë gjatë saldimit të hekurave të magazinës.

Hetuesit kanë marrë në pyetje të plagosurit që u shtruan në spitalin e Lushnjes, si dhe të pranishmit në vendngjarje. Ndërkohë që deputeti socialist Bujar Çela, Saimir Korreshi dhe Sokol Lumi nuk janë marrë ende në pyetje për shkak të gjendjes shëndetësore.

Sokol Lumi ka qenë një klient i rastit kur ka ndodhur shpërthimi, Saimir Korreshi, pronar i një biznesi pranë magazinës që po ndërtohej dhe vetë Çela pronar i magazinës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit