Dy vepra penale janë konstatuar deri më tani në vendin e ngjarjes ku ndodhi shpërthimi tragjik në Lushnje.
Grupet e hetimit janë rikthyer në magazinë për të zbuluar shkakun e shpërthimit që mori dy jetë dhe lëndoi 7 persona të tjerë.
Magazina është në pronësi të deputetit socialist Bujar Çela dhe dy shkeljet e konstatuara nga grupi hetimor janë: shkelja e rregullave të sigurisë në punë që lidhet me dy bombolat që përdoreshin për saldim, të cilat ishin jashtë çdo kriteri teknik dhe shpërdorimi i detyrës në lidhje me dhënien e lejes për këtë magazinë poshtë tensionit 110 kv.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se 24 orë që nga shpërthimi, njëra prej bombolave vijon ende të jetë e varur në vinç dhe do të lëvizet nga ekspertët kur kqyrja e vendngjarjes të ketë përfunduar.
Kka dyshime se një prej cilindrave ku po punohej për saldim, është thyer e ka marrë flake ç’ka ka bërë që bombola të rrëzohet në tokë dhe të krijohet shpërthim. Kjo tregohet qartë nga gropa e krijuar në vatrën e shpërthimit si dhe dëmet e shkaktuara në një rreze të gjerë, ku ndodhen shtëpi e biznese të tjera.