Hysen, Hygerta dhe Amarildo Meta ndodhen në burg pasi akuzohen për vrasjen e babait të tyre, Pëllumb Meta.
Por autorësia e kësaj ngjarje është ende e paqartë pasi në fillim ishte Hygerta ajo që e mori përsipër krimin, pastaj vëllai i saj i madh dhe në gjykatë sërish vajza.
Për të zbuluar vërtetësinë e fjalëve të saj Policia e Durrësit ka vendosur të kryejë dy eksperimente hetimore, për të hedhur dritë mbi mekanizmin dhe autorësinë e vrasjes së Pëllumb Metës.
Policia ka vendosur të dërgojë vajzën 19-vjeçare në një poligon dhe aty do t’i jepet një armë e të njëjtit kalibër me të cilën u krye vrasja. Ajo duhet t’iu dëshmojë hetuesve, sesi e përdori armën dhe ekzekutoi babain. Në këtë mënyrë, hetuesit do të mund të binden nëse ajo është e aftë të përdorë armë zjarri dhe të qëllojë 4 plumba.
Eksperimenti i dytë lidhet me hapjen e gropës, ku u gjet trupi i pajetë i babait të 4 fëmijëve.
Ndërkohë motivi i vrasjes mbetet ende i paqartë pasi ka dyshime se fëmijët mund të jenë shtyrë nga nëna e tyre Blerina për të kryer vrasjen.