Shpërthimi i ditës së djeshme në Lushnje jo vetëm që pati pasoja tragjike dhe tronditi qytetarët, por shkaktoi edhe dëme të shumta.
Banorët pranë zonës ku ndodhi shpërthimi kanë treguar për mediat si e kanë përjetuar ngjarjen e rëndë, por edhe pasojat.
Njëri prej tyre tregoi momentin kur xhamat binin pas shpërthimit dhe tha se dëmet materiale në banesën dhe biznesin ku punonte së bashku me familjarët e tij ishin tepër të mëdha.Sipas tij dëmi për biznesin e elektroshtëpiakeve llogaritet mbi 200 mijë euro.
“Isha duke punuar poshtë. Fëmijët ishin duke luajtur këtu, njerëzit e tjerë në dhomën e pritjes. Për momentin thjesht mendova për ata, u ngjita lart, i kapa i nxora jashtë thjesht të shpëtonim ata pa menduar gjë tjetër.Falë Zotit nuk kemi asnjë dëmtim në njerëz. 4 anëtarë jemi në familje, në total ishim 10 persona që rrezikoheshim.(Dëmet në biznesin e elektroshtëpiakeve) Biznesin e ka kunati, po punoj edhe unë me të. Nuk e nxjerrim dot vlerën por llogaritet rreth mbi 200 mijë euro. Vala goditëse ishte goxha e fuqishme. Nuk po merrnim vesh cfarë po ndodhte. Një zhurmë shumë e madhe, xhamat binin gjithandej, fëmijët të trembur”.