Një i vdekur dhe tetë të plagosur në biznesin e deputetit Bujar Çela

Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 01.03.2024, 16:38

Një shpërthim i fortë është regjistruar mesditën e kësaj të premte në Lushnje. Një vinç, i cili po punonte për ngritjen e një kapanoni ka prekur kabullin e tensionit të lartë. Si pasojë e kësaj ka ndodhur një shpërthim i fortë, që ka lënë të vdekur një person, Roland Verçanin dhe ka plagosur tetë persona të tjerë, mes tyre edhe deputetin e Lushnjes, Bujar Çela.

Mësohet se kapanoni që po ngrihej ishte në pronësi të deputetit dhe ai ishte aty duke ndjekur punimet.

Burime për JOQ Albania bëjnë me dije se mes të plagosurve është edhe një i ri 20 vjeç.

Shpërthimi ka qenë shumë i fortë dhe të gjithë banorët në Lushnje e kanë dëgjuar. Disa prej të plagosurve janë transportuar drejt spitalit të Traumës. Deputeti Bujar Çela i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe thuhet se ai ka marrë vetëm lëndime në këmbë.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 16:05 në vendin e quajtur "Rrethrrotullimi i Plasmasit", në një kapanon në ndërtim dyshohet se gjatë punës, një vinçier duke drejtuar një vinç, aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm.

Si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën shtetasi L. V., dhe janë plagosur 8 shtetas mes tyre dhe deputeti B. Ç., të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjeksore.

Menjëherë nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe Komisariati i Policisë Lushnjë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit