Gjykata e ishullit Kos, Greqi ka dënuar me 15 vite burg 53-vjeçarin grek dhe djalin e tij që u shpallën fajtor për vrasjen me paramendim të biznesmenit shqiptar Xhani Topalli.
Biznesmeni shqiptar u vra, më 28 gusht, në Faliraki të Rodos, jashtë dhomave me qira në pronësi të autorit 53-vjeçar, biznesmen nga Rodosi.
Ky i fundit dhe djali i tij, para se të dënoheshin me paraburgim në shtator të vitit 2023 dhe në prani të avokatëve të tyre, pohuan se vdekja e 46-vjeçarit ka ardhur si pasojë e një aksidenti gjatë një sherri, por duke theksuar se për këtë nuk ka faj 20-vjeçari.
Shkak për ngjarjen e rëndë u bë një borxh 100 mijë euro që 53-vjeçari i kishte shqiptarit, pasi ky i fundit kishte bërë disa punime në hotelin e tij në vitin 2019.
Ekzaminimet në trupin e shqiptarit zbuluan dy goditje në kokë që i morën edhe jetën. Babai i tre fëmijëve u gjet i pajetë në zonën mes Psinthos dhe Afandos. Në vendin ku kishte varrosur trupin, u gjetën dy copa litar blu, të cilat u përdorën për të kryer vrasjen.