Metadoni mungon prej 3 javësh, përdoruesit i kthehen heroinës dhe vjedhjeve: Na gënjejnë përditë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 29.02.2024, 16:07

Prej pothuajse 3 javësh, në Durrës, Korçë e Shkodër, mungon metadoni, medikamenti që ndihmon përdoruesit e drogës për të hequr dorë prej saj duke lehtësuar dhimbjet dhe duke zbehur dëshirën për lëndë narkotike.

Por të gjendur përballë kësaj situate, përdoruesit i janë rikthyer, "zakoneve të vjetra", heroinës dhe vjedhjeve pasi iu nevojiten para për sigurimin e lëndëve narkotike.

Ata thonë se mungesa e këtij medikamenti kaq të rëndësishëm, është i qëllimshëm në mënyrë që metadoni të shitet nën dorë me çmime të larta ose të favorizohet shpërndarja e drogës. Përdoruesit kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme pasi po iu rikthehen vjedhjeve, krimeve që më parë janë dënuar për burg.

"Është turpi më i madh që qendra jonë të mbetet pa metadon. Çfarë mund të bëje një drogaxhi. Të marrë të vjedhë në shtëpi. Jemi përdorues të vjetër. Vetëm përdoruesit e vjetër mund të rrinë pa metadon. Kemi përdor heroinë. Na mban gjysmë ore ajo. Lekët vidh në shtëpi, vidh këtej e vidh andej derisa të hy në burg”.

“I jemi rikthyer drogës. Duke bo budallallëqe gjithë ditën. Shumica i janë rikthyer drogës. Na rrejnë ditë përditë. Në bazë të recetash blihet në farmaci. Unë nuk kam mundësi ta blej. Kam mbi 20 vjet. Metadonit i jam rikthyer prej rreth një viti. Kam qenë në burg për shkak të drogës”.

Ministria e Shëndetësisë, e cila është përgjegjëse për shpërndarjen e këtij medikamenti nuk ka dhënë asnjë lloj shpjegimi për mungesën në qendrat e rehabilitimit. Edhe më parë, JOQ ALBANIA ka denoncuar problematikën e metadonit në vend, mungesat në shumë farmaci por edhe shpërndarjen e pakontrolluar të tij, që mund të jetë fatal për përdoruesit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit