Gjatë vitit 2023, numri i lejeve të miratuara për ndërtim është rritur me 12.8% krahasuar me një vit më parë.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se në vitin 2023 janë miratuar gjithsej 1.602 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 1.420 leje ndërtimi të miratuara në vitin 2022, duke shënuar një rritje prej 12,8 %.
Gjatë vitit 2023, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja është 2.115.819 m2, nga 2.667.497 m 2 miratuar në vitin 2022, duke shënuar një ulje prej 20,7 %.
Ndërkohë që në vitin 2023, Bashkia e Tiranës dha gjithsej leje ndërtimi për një sipërfaqe prej 1.4 milionë metra katrorë, që përbën 67% të totalit të lejeve të dhëna në të gjithë Shqipërinë.
Por bashkë me rritjen e lejeve të ndërtimit, janë rritur edhe çmimet për metra/katrorë. Në zonën e Astirit, ku kërkesa është mjaft e lartë, 1 metër katror kushton nga 1100 euro deri në 1600 euro metri. Me pothuajse të njëjtin çmim janë edhe apartamentet në Yzberisht, zonën e Xhamllikut apo 'Don Bosko' e Myslym Shyri, ku ka raste që çmimi shkon edhe mbi 1600 euro.
Sa më shumë i afrohesh qendrës, aq më shumë rriten edhe çmimet pasi në Rrugën e Durrësit 1 metër katror arrin mbi 2200 euro, ndërsa në qendër çmimet për një metër katror arrijnë në 4000 euro.
Anketimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se çmimet e apartamenteve do vazhdojnë të rriten.