Gjatë muajit janar të këtij viti, importet e mallrave të akcizës kanë pësuar ulje dyshifrore, përveç karburantit.
Të dhënat e fundit nga Ministria e Financave tregojnë se në muajin e kaluar, importet e karburanteve arritën mbi 46 mijë tonë, por importet e birrës, kafesë dhe cigares pësuan rënie me ritme dyshifrore.
Në janar 2024 u importuan 218 tonë cigare, ose 25.7% më pak se në janarin e vitit të kaluar. Ndërsa importet e kafesë pësuan rënien më të fortë në janar 2024 pasi u importuan gjithsej 363 tonë kafe, me rënie 32 % në krahasim me janarin 2023. Por jo vetëm kaq pasi edhe importet e birrës pësuan rënie me 27%.
Ndër faktorët kryesorë për uljen e importit përmenden çmimet e larta por edhe zvogëlimi i popullsisë rezidente. Por jo vetëm kaq pasi konsumi po vuan edhe nga tkurrja dhe ndryshimi i strukturës së popullsisë drejt moshave më të vjetra.
Një anketë e “Gallup international” e ka renditur Shqipërinë në 10 vendet me nivelin më të lartë të emigracionit në botë në raport me popullsinë në vitet 2021-2022. Shumica e të larguarve, mbi 80% janë të rinj, grupi që ka prirje më të lartë për të blerë veshje, ushqime dhe pajisje teknologjike.