Vrasja e shqiptarit në Itali: Pas rrëfimit të 17-vjeçarit po hetohet një rrjet prostitucioni i fëmijëve

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 29.02.2024, 11:19

Skenarë shqetësues po dalin në dritë pas vrasjes së 39-vjeçarit shqiptar Bledar Dedja, pasditen e 20 janarit në një zonë të izoluar pyjore në via Dei Carpini në Paderno del Grappa, në provincën e Treviso.

Pika e kthesës në këtë çështje erdhi pak ditë më parë: një 17-vjeçar nga Pieve del Grappa u ndalua dhe u dërgua në burg në Treviso, ku ndodhet ende, me akuzën e vrasjes me dashje të rëndë me paramendim. Studenti, italian dhe nga një familje e mirë, ka pranuar se ka vrarë burrin.

Duke folur me hetuesit, i mituri ka rrëfyer njohjen e tij me 39-vjeçarin shqiptar, e cila filloi rreth një vit më parë, gjatë një periudhe ndërrimi të punës shkollore në restorantin në Borso del Grappa ku edhe 39-vjeçari punonte. Gjatë rrëfimit ai ka raportuar për një rrjet djemsh dhe vajzash që ishin pjesë e një rrjeti prostitucioni ndoshta edhe të mitur, nga i cili ai vetë donte të dilte.

Por për të verifikuar pretendimet e tij, hetuesit do shqyrtojnë me kujdes celularin e dytë të shqiptarit, të cilin ai e përdorte për organizimin e takimeve klandestine, ku i janë gjetur edhe biseda me 17-vjeçarin.

Avokatja e djalit, Elisa Berton, në fund të seancës dëgjimore në Prokurorinë në Venecia tha:

" Historia është shumë më komplekse nga sa duket".

Motivi i krimit mbetet ende i mbuluar me mister. Sipas asaj që është rikonstruktuar deri më tani, të shtunën e datës 20 janar 17-vjeçari është takuar me shqiptarin, por me një thikë të fshehur poshtë rrobave. Ai e ka goditur 20 herë me thikë shqiptarin, por një goditje në mushkëri ka qenë fatale për të. Më pas ai është larguar nga vendi i ngjarjes, por plaga e marrë në dorë e ka detyruar të paraqitet në spital dhe aty ka nisur zbardhja e ngjarjes së rëndë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit