Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka dënuar me 300 euro, tri pikë negative dhe ndalim të mjetit motorik për tre muaj një person nga Peja.
Kjo, pasi që i dyshuari ka publikuar pamje në ‘Tik Tok’ duke vozitur 263 km në orë.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë policia me anë të një njoftimi të lëshuar në ‘Facebook’.
Nga fotografitë e shpërndara nga Policia e Kosovës, shihet se videoja duke vozitur në shpejtësi të madhe është shpërndarë në ‘Tik Tok’.
“Me datën 08.02.2024 në një video incizim të shpërndarë në rrjete sociale ishte publikuar vetura BMW e cila në fshatin Mleqan-Malishevë, drejtohej me shpejtësi 263 km/h, në zonën e kufizuar të shpejtësisë në 100 km/h”, thuhet në njoftim.
“Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë ka ndërmarr masat e duhura operative dhe hetimore dhe ka arritur të identifikoj veturën dhe shoferin i cili kishte bërë kundërvajtjen. Të njëjtit, në përputhje me ligjin për trafikun rrugor, ju është shqiptuar gjoba treqind (300) euro, tri (3) pikë negative si dhe ju është shqiptuar edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej tre (3) muajsh”, vijon njoftimi.
Me qëllim të ngritjes së sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimit të aksidenteve, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, apelon tek të gjithë shoferët që të respektojnë rregullat e trafikut.