Bujar Osmani nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Arben Taravari nga koalicioni VLEN i opozitës shqiptare, dhe Maksim Dimitrievski nga Partia ZNAM (Për Maqedoninë tonë), janë të vetmit që deri më 28 shkurt, kanë mbledhur nga 10.000 nënshkrimet e nevojshme të qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale, më 24 prill.
Afati për paraqitjen e kandidaturave me nënshkrime apo me mbështetjen e 30 deputetëve, skadon më 8 mars.
Drama e futbollistit të famshëm gjerman- humbi orën në vlerë 180 mijë euro, pastaj u pë...Gara e kandidatëve për president, e varur nga nënshkrimet e qytetarëveLumbardhi me një dedikim për Kader Kicajn: Më mungonMaqedonci: Bazat ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën shqetësim për gjithë fakto...Të rinjtë në Dibër të varur nga lëndët narkotike Deri atëherë nënshkrime do të mbledhin edhe tetë kandidatë partiakë dhe të pavarur, por prej tyre afër përmbushjes së kushtit për pjesëmarrjen në zgjedhje janë, Biljana Vankovska nga partia E Majta dhe Stevçe Jakimovski nga partia GROM (Opsioni qytetar për Maqedoninë).
Zëdhënësi i BDI-së, Arbër Ademi, tha se pas mbledhjes së nënshkrimeve kjo parti do të nisë me prezantimin e programit para opinionit, e që në fokus ka ndryshimin e modelit zgjedhor në të ardhmen, apo zgjedhjen e presidentit në Kuvend.
“Pas përfundimit me sukses të procesit, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Bujar Osmani do të fokusohen në prezantimin e ideve tona para qytetarëve, të cilat jemi të bindur se do të pranohen dhe do të mbështeten. Ideja progresive e liderit të partisë, Ali Ahmeti, është që presidenti të zgjidhet në Kuvend me dy të tretën e votave dhe me Badinter apo votim të dyfishtë, me votat edhe të bashkësive etnike për të parandaluar mbivotimin etnik apo imponimin e vullnetit vetëm të dy partive etnike maqedonase”.
Opozita shqiptare ndërkohë tha se mbledhja e nënshkrimeve për më pak se 24 orë për kandidatin e saj, Arben Taravari, flet se “shqiptarët e duan ndryshimin”.
“Neve na bashkon platforma, na bashkon programi, na bashkon oferta dhe zgjidhja konkrete për problemet e shqiptarëve. Pak kanë rëndësi ngjyrat partiake, individët dhe çështjet tjera. Për çdo ditë koalicionit VLEN, i bashkohen edhe grupe të tjera, organizata joqeveritare dhe intelektualë të pavarur. Në këtë kuadër flasin edhe anketat se kandidati ynë është fitues absolut i zgjedhjeve”, tha Izet Mexhiti, një nga drejtuesit e koalicionit opozitar VLEN.
Dy partitë më të mëdha maqedonase, Lidhja Social Demokrate e ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe OBRM-PDUKM-ja opozitare e Hristijan Mickoskit, kanë numrin e mjaftueshëm të votave të deputetëve për zyrtarizimin e kandidaturave të tyre.
Lidhja Social Demokrate pritet të shtunën, më 2 mars, të nominojë presidentin aktual, Stevo Pendarovski.
“U bëjmë thirrje të gjitha partive politike progresive, individëve e organizatave joqeveritare ta mbështesin kandidatin tonë dhe t’i bashkohen koalicionit Fronti Evropian”, deklaroi kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.
Më 3 mars, kandidaturën e Gordana Siljanovska-Davkovas do ta promovojë edhe OBRM-PDUKM-ja. Por, pavarësisht se kjo parti ka 30 deputetë për nominimin e saj në Kuvend, ajo ka vendosur që të mbledhë edhe 10 mijë nënshkrime.
Kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickoski, ngriti dyshime për “blerje të nënshkrimeve” nga disa parti politike.
“Jam i tmerruar nga informacionet që marr nga terreni se jepen madje edhe para për të siguruar nënshkrime për kandidaturat. Kemi raste të dokumentuara, të cilat i janë dorëzuar Ministrisë së Punëve të Brendshme për të vazhduar procedurën e ndjekjes penale. Sa i përket OBRM-PDUKM-së, edhe pse nuk e kemi obligim pasi kandidatura jonë mund të propozohet vetëm me firmat e 30 deputetëve, megjithatë ne do të kërkojmë edhe mbështetjen e qytetarëve dhe besojmë se nënshkrimet do t’i mbledhin për disa orë”, u shpreh Mickoski.
Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen në dy runde, i pari më 24 prill, ndërsa rundi i dytë do të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare, më 8 maj.