Policia malazeze po heton nëse anëtarët e klanit kriminal të "Skaljarit" vranë dje shqiptarin Edmond Mustafën për ta penguar atë të fliste për veprimet e tyre të përbashkëta kriminale, në të cilat dyshohet se ka marrë pjesë deri pak kohë më parë.
29-vjeçari shqiptar u vra një ditë më parë në Tivar nga një bashkëpunëtor i klanit "Skaljar" Dino Ibrahimović. Teksa shqiptari ishte duke ecur, Ibrahimović iu afrua nga pas dhe qëlloi disa herë në drejtim të tij me një automatik. 29-vjeçari ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa vrasësi është arratisur me një skuter elektrik. Ai u identifikua dhe u arrestua një orë më vonë.
Për gati një dekadë, 29-vjeçari shqiptar konsiderohej si pjesëtar i klanit të Tivarit në krye me Alan Kozharin tashmë të ndjerë, i cili gjatë luftës së klaneve malazeze "u shkri" në klanin kriminal Skaljar. Pas vrasjes së Kozharit, në verën e vitit 2020, Mustafa ndërroi klan (bandë). Këtë e mbështesin transkriptet e mesazheve dhe fotove të shumta të shkëmbyera në Sky nga policët e arrestuar dhe të arratisur të klanit Kavaçki.
Megjithatë, policia pretendon se të shtënat e djeshme kanë qenë një përballje mes anëtarëve të të njëjtit grup kriminal, pra klani "Skaljar".
Edmond Mustafa, shqiptari i vrarë ka mbushur rubrikat e gazetave për kronikën e zezë për gati një dekadë. Ai është arrestuar për krime me elemente dhune, zhvatje dhe armëmbajtje pa leje.
Më parë shqiptari ishte marrë peng dhe ishte detyruar të tregonte autorët e porositësit e 11 vrasjeve të kryera nga klani ku ishte anëtar.