Në vendet e Ballkanit Perëndimor, emigracioni është në nivele të larta, por në Shqipëri spikat më shumë fluksi i të larguarve në raport me popullsinë.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në një analizë të fundit vuri në dukje se emigracioni i lartë ka si shtysë kryesore qeverisjen e keqe. Duke iu referuar një sondazhi të Gallup, ku Shqipëria ishte ndër 10 vendet e para në botë ku të paktën gjysma e popullsisë do të donte të ikte jashtë vendit gjatë 2018-2021, BERZH konstatoi:
“Qeverisja e dobët është një shtytës kryesor i emigrimit. Përvoja aktuale dhe e kaluar e emigracionit në Ballkanin Perëndimor ka treguar se korrupsioni ose paqëndrueshmëria politike është arsyeja më e rëndësishme për emigracionin”.
Nga 13 arsyet e ofruara për emigracionin, 66.7 për qind e të anketuarve në Ballkan vlerësuan korrupsionin ose paqëndrueshmërinë politike në vendin e tyre si shumë të rëndësishëm, ndërsa 19.2 për qind e konsideruan të rëndësishëm. Përqindja e të anketuarve që kanë zgjedhur këto dy opsione është më e lartë në mesin e atyre që emigruan në pesë vitet e fundit sesa ata që emigruan më herët.
Por BERZH vë në dukje faktin se grupi i ardhshëm i ekspertëve dhe profesionistëve në Ballkan dhe Shqipëri mund të kufizohet nga rënia e vazhdueshme e popullsisë për shkak të tendencave negative demografike. Këtu bëjnë më tepër pjesë punëtorët me aftësi shumë të kërkuara, si TIK (teknologjia e informacionit dhe komunikimit), të cilët çdo ditë e më tepër migrojnë drejt ekonomive të përparuara me një nivel më të lartë page.