Ymer Ramadan Haxhiaj, 27-vjeçari shqiptar, i cili akuzohet se detyroi partneren e tij të merrte pilula dhe të abortonte foshnjen, u la i lirë por me kushte kufizuese.
Duke folur për mediat greke, i riu shqiptar theksoi se “nuk kam bërë asgjë për të cilën më akuzojnë”, ndërsa shtoi: “Doja fëmijën, jam i trishtuar”.
Në të njëjtën kohë ai ka mohuar kategorikisht akuzat se e ka rrahur të dashurën dhe i ka dhënë pilula:
“Asnjë nga këto nuk është e vërtetë. Unë nuk di asgjë as për pilulat. Nuk e di as ku i gjeti, kur i mori..."
Madje, ai i ka bërë apel 19-vjeçares që të thotë të vërtetën, ndërsa ka thënë se ajo ishte dashuria e tij e parë për të.
“Për herë të parë në jetën time kisha rënë në dashuri".
Ndërkohë vetë 19-vjeçarja ndihet e frikësuar se tani që shqiptari është i lirë, ai mund ta lëndojë atë ose gjyshen e saj.
“Kam shumë frikë se u lirua, mund të më lëndojë mua ose gjyshen. Ai na tha se nëse shkon në burg do të na dëmtojë. Unë nuk e di çfarë të them. Ky njeri nuk ndjen keqardhje për vrasjen e fëmijës tim?'.
Në lidhje me gjyshen, të cilën 27-vjeçari e akuzon se nuk e do për shkak të origjinës, 19-vjeçarja tha:
“Fajëson edhe gjyshen time, sepse thotë se është shqiptar. Gjyshja ime ka pagëzuar një vajzë nga Shqipëria. Gjyshja ime nuk ka pasur kurrë një qëndrim racist ndaj askujt".