Mitreski: Marrëveshjet ndërkombëtare s’mund të ndryshohen me ligj tjetër

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 27.02.2024, 14:50

Kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski në pyetjen nëse shumica në Kuvend nesër do ta mbështesë vazhdimin e vlefshmërisë së dokumenteve të udhëtimit, u përgjigj se marrëveshjet ndërkombëtare nuk mund të ndryshohen me një ligj tjetër.

“Sipas informatave që i marr është se ai ligj nuk do t’i zgjidhte problemet dhe se është në kundërshtim me nenin 118 të Kushtetutës në kuptim të asaj se marrëveshjet ndërkombëtare janë pjesë e qarkullimit të brendshëm juridik dhe faktikisht nuk mund të ndryshohen me një ligj tjetër, kështu që vendimi përfundimtar do të kumtohet gjatë ditës”, tha Mitreski.

Shtoi se gjatë ditës së sotme do ta shtojë rendin e ditës për mbledhjen e nesërme për ligjin e dokumenteve të udhëtimit, ndërsa lidhur me mbështetjen e deputetëve thotë se vendimet i sjellin vetë grupet e deputetëve.

OBRM-PDUKM opozitare javën e kaluar bëri thirrje për mbështetje nga shumica në pushtet për vazhdim të vlefshmërisë së dokumenteve të udhëtimit. Sipas tyre, nevojiten 15 deputetë nga pushteti, të cilët së bashku me deputetët e OBRM-PDUKM-së, do ta votojnë ligjin për vazhdim të vlefshmërisë së pasaportave. Në të kundërtën thotë ata duhet të heqin dorë nga pasaportat e veta diplomatike, me të cilat udhëtojnë pa pengesa, kurdo që dëshirojnë.

Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski javën e kaluar, ndërkaq, deklaroi se i kotë do të jetë ndryshimi i ligjit me të cilin do të propozohet afati i kohëzgjatjes së pasaportave me emrin Republika e Maqedonisë, sepse kjo duhet të harmonizohet me Greqinë dhe me BE-në. Ai theksoi se Qeveria duhet të sigurojë pajtueshmëri nga vendet-anëtare të BE-së nga pala tjetër nënshkruese – Greqia, e më pas të bisedojë për ndryshim të ligjit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit