Gjykata e Posaçme ka liruar nga burgu ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.
Ndaj tij tani është caktuar masa e sigurisë "arrest shtëpie" pasi ka kaluar afatet e paraburgimit.
Kujtojmë se Dako u arrestua më 6 qershor të vitit të shkuar pasi akuzohej për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh për leje ndërtimi dhe tendera për një pallat të dëmtuar nga tërmeti 2019.
Sipas SPAK, Dako ka kryer veprime në kundërshtim me kompetencat e kryetarit të bashkisë në miratimin e lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë Fakle sh.p.k, pasi ai dhe zyrtarët e Bashkisë Durrës i përpiluan dokumentet dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë. Hetimet arritën në përfundimin se është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga bashkia.
Vepra e dytë penale ndaj Dakos kishte të bënte me një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Sipas SPAK, komisioni i ngritur me urdhër të Dakos, ka kryer gabim llogaritjen e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave.