“Po isha unë”, 17-vjeçari italian pranon vrasjen e shqiptarit, motivi ende i paqartë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 27.02.2024, 09:18

Mbetet në burg 17-vjeçari që vrau më 20 janar Bledar Dedja, 39-vjeçarin shqiptar nga Asolo.

Djali, një italian nga një familje me banim në komunën e Pieve del Grappa, e pranoi vrasjen por ka ende shumë pika të paqarta në lidhje me motivin. I hetuar për vrasje të rëndë me dashje dhe paramendim, i riu, pas përballjes së sotme me hetuesit, do të dëgjohet sërish nga prokurori publik në ditët në vijim.

Ndërkohë, detaje të reja dalin mbi hetimin që çoi në arrestimin e tij. Sipas asaj që u zbulua, 17-vjeçari ka pasur një takim me viktimën ditën e vrasjes. Në fakt, pasditen e së shtunës së 20 janarit djali u përgjua nga disa kamera video survejimi në sheshin në Paderno del Grappa, ku me sa duket ndodhej me Bledarin. Më pas të dy janë larguar së bashku me Mercedesin B-Class të 39-vjeçarit duke u nisur drejt një korije në Via dei Carpini, një zonë e izoluar e njohur si një pikë takimi për çiftet.

Pas vrasjes së kryer me 20 goditje me thikë, njëra prej të cilave i ka shpuar mushkëritë shqiptarit, djali mesa duket ka hequr qafe armën, çelësat e makinës së shqiptarit (e cila u gjet e mbyllur) dhe disa veshje që ishin lyer me gjak. Por gjatë sulmit ai pësoi një plagë me thikë në dorë, një prerje të thellë midis gishtit të madh dhe gishtit tregues. Pasi u nis në këmbë nga Via Dei Carpini, ai është filmuar nga një videokamerë e dytë teksa i kërkonte autostop një kalimtari vendas (të cilit iu sekuestrua edhe makina për hetim) i cili e ka shoqëruar deri në stacionin e autobusit. Në këtë pikë gjurmët e tij humbasin derisa ai rishfaqet në një dhomë të urgjencës lokale për të trajtuar dorën e tij.

Detaji i autostopit dhe mbërritja spital ishin elementët e parë që i çuan hetuesit në gjurmët e tij. Por prova përfundimtare dhe vendimtare doli vetëm kur u zhbllokua celulari i dytë i Bledarit, ai që dyshohet se kishte përdorur për të organizuar “jetën e dytë” pa dijeninë e familjes. Në këtë celular ai kishte kontakte dhe takime të fshehta seksuale me persona të tjerë dhe në mesazhe janë gjetur gjurmë të qarta kontaktesh mes 17-vjeçarit dhe Dedja-s, duke përfshirë edhe mesazhin me të cilin ishte caktuar takimi përfundimtar.

Arrestimi i policisë i ndodhur mëngjesin e së premtes së 23 shkurtit u vendos mbi bazën e rrezikut të arratisjes. Kur u arrestua 17-vjeçari italiane tha "Po isha unë", por pa dhënë asnjë detaj për motivin.

Djali kishte rreth një vit që kishte lidhje me Bledar Dedja, të cilin e takoi gjatë një periudhe shkollë-punë në vendin ku punonte 39-vjeçari. Hipoteza është se i riu kishte përfunduar në një rrjet prostitucioni mes të cilëve edhe të mitur siç konfirmohet ndër të tjera nga elementët që policia gjeti nga analiza e celularit të viktimës dhe të cilët tashmë janë duke u ekzaminuar nga hetuesit. Ndoshta donte të dilte nga ajo punë dhe Bledari mund ta kishte shantazhuar, duke e kërcënuar se do t'i tregonte gjithçka familjes së tij. Dhe për këtë arsye 17-vjeçari do të ishte paraqitur në takimin e fundit me thikën me të cilën vendosi të vriste shqiptarin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit