“Brenda trupit të mbështjellë harrova një palë gërshërë”, detaje nga krimi familjar në Durrës

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 24.02.2024, 18:06

Hygerta Meta, 19-vjeçarja që mori përsipër vrasjen e babait, Pëllumb Meta, ka treguar me detaje si ndodhi vrasja dhe fshehja e krimit.

E reja ka treguar se vrasja ka ndodhur më datë 10 shkurt dhe ajo bashkë me vëllain Hysenin kanë bashkëpunuar në vrasje dhe në fshehjen e krimit.

Në kohën kur ka ndodhur vrasja, në shtëpi, nuk ka qenë nëna e tyre dhe as vëllai i vogël. Kur këta të fundit e kanë marrë vesh krimin, në fillim janë tronditur, por më pas kanë bashkëpunuar për të fshehur provat.

Një detaj i rëndësishëm i dëshmisë së vajzës, është se gjatë mbështjelljes së trupit me qese të zezë, ajo ka harruar një palë gërshërë brenda trupit.

Më pas trupin e kanë mbështjellë me batanije dhe e kanë groposur në kasollen e lopëve. Për të fshehur edhe këtu gjurmët, ajo ka hedhur kashtë dhe disa pllaka betoni mbi gropë, që policia të mos dyshonte për asgjë.

Pjesë nga dosja hetimore:

Ditën e shtunë date 10.02.2024, rreth orës 15.00, kur babai ka shkuar në banese ka filluar të konfliktohet me të vëllanë. Më pas babai është shtrirë duke pushuar në një divan të kuzhinës, e Hyseni ka marrë armën pistoletë TT të cilën në banese e ka pas sjellë i ati, dhe me të në dorë ka hyrë në kuzhinën ku pushonte babai dhe e ka qëlluar katër herë. Gjatë kryerjes së këtyre veprimeve nuk kanë qenë të pranishëm vëllai i vogël Amarildo dhe as mamaja Blerina. Më pas vëllai ka dalë nga banesa duke e lënë kufomën aty, e ajo ka vijuar më pas me sistemimin e kufomës duke e lidhur atë me lidhëse në këmbë e ne duar, duke e fashuar e vendosur dhe në një çarçaf të zi. Ka gjetur katër gëzhojat dhe i ka lënë sipër tavolinës në cep.

E ka mbështjellë kufomën me plastmas të zi dhe e ka lënë në divan, ku gjatë mbeshtjelljes ka harruar në trupin e viktimës dhe një palë gërshërë. Faktin e vrasjes e ka mësuar dhe e ëma dhe i vëllai i vogël kanë ardhur në banesë, ku e ëma ka ngelur e tronditur nga ajo që kishin bërë. Në mbrëmje dy vellzërit janë marrë me hapjen e gropës dhe fshehjen e kufomës, si dhe më pas dhe me armën dhe gëzhojat. Po ashtu dy vëllezërit kanë larguar dhe makinën nga banesa. Të nesërmen ajo ka parë që tek kasollja ishte lëvizur dheu dhe ka mësuar se aty ishte varrosur kufoma. Vendit përsipër i ka hedhur disa pllaka betoni dhe kashtë që të mos dukej vendi i gërmuar nëse vinte për kontroll policia.

Pas dy ditësh i vëllai ka bërë denoncim në polici për humbjen e babait. Kanë biseduar me njëri tjetrin që nëse do të zbuloheshin nga policia ajo do të merrte përsipër fajësinë e autorësinë e ngjarjes. E ëma pas kësaj ka pastruar dhomën si dhe divanin mbi të cilin ishte shtrirë Pëllumbi kur u qëllua e kanë ngjitur në katin e dytë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit