Albert Halilaj, u zgjodh kryebashkiak i Kukësit në zgjedhjet e parakohshme të 24 shtatorit, pas skandalit të Safet Gjicit. Por për socialistin që mban karrigen e kryetarit prej disa muajsh tanimë, duket se gjeografia nuk është pika e tij e fortë, për më tepër në qytetin që është zgjedhur të drejtojë.
Gjatë një emisioni televiziv, kryebashkiaku ka treguar se gjeografia nuk ka qenë lënda e preferuar në shkollë, dhe si e tillë ka mbetur edhe pse tani mban një post të rëndësishëm.
Duke folur për kuotat e liqenit të Fierzës ose siç njihet ndryshe Kukësit, kryebashkiaku tha se ai është liqeni i Drinit të Bardhë dhe të Zi.
Mesa duket, Halilaj ka harruar se Drini i Bardhë dhe i Zi janë lumenj, që derdhen në Kukës dhe formojnë liqenin që mban emrin e qytetit.